Studentët mitrovicas, me aksion simbolik për nder të muajit të Ramazanit

HomeLajme

Studentët mitrovicas, me aksion simbolik për nder të muajit të Ramazanit

Për çdo mysliman, muaji i Ramazanit paraqet muajin e sakrificës dhe solidaritetit. Që ky muaj i vecantë të kalohet në mënyrën sa më mirë të mundshme,

Nis rrënimi i kazinove ilegale në Karaçevë (VIDEO)
Elhamdulilah! Edhe këtë vit, si disa vite me rradhë, bukët gjatë muajit Ramazan për nevojtarët do të jenë falas
Urgjent Të shpëtojmë jetën e jetimit të sëmurë!

Për çdo mysliman, muaji i Ramazanit paraqet muajin e sakrificës dhe solidaritetit. Që ky muaj i vecantë të kalohet në mënyrën sa më mirë të mundshme, kanë menduar disa studentë mitrovicas, duke e realizuar një aksion simbolik për nder të ardhjes së muajit të agjërimit.

Si shenjë e ardhjes dhe mikpritjes së këtij muaji, këta studentë, në mënyrë krejtësisht vullnetare, shpërndanë falas fletushka edukative dhe pako me hurma për qytetarët në komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

Anipse në kushte pandemie, këta të rinj gjetën një formë interesante të komunikimit me qytetarë dhe shpërndarjes së mesazheve pozitive në prag të kësaj feste.

I kontaktuar nga Familja Jonë, njëri ndër vullnetarët studentë, Ilaz Hajra, tregon për mënyrën e organizmit të këtij aksioni simbolik dhe suksesin që pati aktiviteti në fjalë.

“Tash e sa kohë nuk mendojmë se a do të bëjmë ndonjë aktivitet apo jo për muajin e shenjtë të Ramazanit, mirëpo dilemat shfaqen mbi atë se çfarë do të bëjmë këtë vit, diç më ndryshe se viteve të kaluara, një iniciativë që i shërben dhe është në dobi të njerëzve mbarë, pa dallim etnie, race, madje as përkatësie fetare. Kjo pra ishte ajo shkëndija e parë, më pas ne si grup i propozuam disa ide të cilat nuk zgjedheshin për t’u përjashtuar, por e plotsonin njëra-tjetrën. Ndaj vendosëm që në vigjilje të muajit të bekuar të Ramazanit të shpërndajmë nja një fletushkë dhe një pako hurma për të gjithë qytetarët pa dallim, bile fokusi ynë ka qenë që njerëzit jofetarë ta zgjojnë mendjen e zemren e tyre, për t’i përvetësuar dobitë e shumta të agjërimit dhe ta shijojnë atmosferën e vlerën e këtij muaji të shenjtë”, theksoi Hajra për Familja Jonë.

“ Komuniteti na ka pritur jashtëzakonisht mirë, për ta ishte një risi e këndshme, një befasi në gjysmëbuzëqeshje, e cila u përcoll me lutje gjithëherë e tentim për shpërblim me të holla nganjëherë. Por synimi ynë ishte që shpërblimin e Zotit ta kërkojmë kaherë! Nisur nga kjo, mund të përfundoj se aktiviteti qe mëse i nevojshëm, aq më tepër kur jemi tashmë në kohë pandemie. Njerëzve u duhet një shtytje përtej njerëzore, pra hyjnore, për t’i bërë ballë sfidave të jetës”, shtoi tutje ai.

Pa dyshim, një organizim i tillë kërkon përkushtim dhe bashkëpunëtorë vullnetarë që mundësojnë realizimin e tij. Hajra përmend ata që ndihmuan që ky projekt të kalonte sa më suksesshëm.

“Bashkëpunëtorët e këtij projekti ishin njerëzit vullnetmirë, ngase i gjithë aktiviteti është bërë mbi baza vullnetare e humane. Ishin grupi i studentëve ata që i dhanë shpirt këtij aktiviteti, pastaj si mbështetës medial e kemi pasur “Mesazhi.com”, shtypjen e fletushkave e ka mundësuar “Ciaoberto”, ndërsa paketimet me hurma dhe disa shpenzime tjera i kanë mundësuar njerëzit bamirës që kanë dashur të jenë anonim”, shtoi tutje Hajra.

Në punimin e fletushkave kanë ndihmuar dhe disa hoxhollarë, për të cilët ai shpreh falënderim për përkrahjen e dhënë.

Gjatë ditëve sa zgjati ky projekt, janë shpërdarë rreth 2 mijë e 500 fletushka, në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri. Siç e bën të ditur vetë Hajra, ky organizim për këtë vit konsiderohet i përmbyllur suksesshëm, ndërsa, viteve të ardhshme, sipas tij, organizimi do të tentohet të zgjerohet nëse situata pandemike largohet dhe janë kushtet për realizimin e kësaj ideje.

“Këtë vit ky aktivitet është përmbyllur suksesshëm, gjersa për vitin e ardhëm do shohin si po rrjedhin gjërat”, përfundoi ai.

Aktiviteti është kryer në përputhshmëri të plotë me masat anti-COVID-19.